RrGK dhe QKSGJ dënojnë gjuhën seksiste të deputetëve të Kuvendit të Kosovës
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) e dënojnë gjuhën dhe qasjen seksiste ndaj deputeteve të shfaqur dje gjatë seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
RrGK dhe QKSGj përmes kësaj kumtese shprehin shqetësim për këtë qasje dhe e konsiderojnë të papranueshme vazhdimin e praktikës së ofendimit mbi baza gjinore të politikaneve nga politikanët burra. Kjo gjuhë dhe qasje seksiste e mizogjeniste, përveç shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, të cilat janë në fundament të Kushtetutës së Kosovës, për më tepër është denigruese për gratë dhe pozitën e tyre në shoqëri.
Qasja seksiste e manifestuar me gjuhë vulgare nga politikanët burra ndaj politikaneve gra, për RrGK dhe QKSGj, e shpërfaqë mendësinë diskriminuese dhe rrezikon mirëmbajtjen dhe riprodhimin e raporteve të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave. Gjë që rrezikon minimin e rolit të grave në politikë.
Poashtu, qëndrimet e tilla skajshmërisht diskriminuese ndaj grave binë në kundërshtim të thellë me objektivat e vendosur nga Deklarata e Pekinit dhe Platforma për Aksion të OKB-së. Kjo paraqet shqetësim serioz për organizatat e grave mbi progresin gjinor në Kosovë, i cili rrezikon regres nga praktikat seksiste.
Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste dënohet ashpër nga organizatat e grave. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës.
Andaj, përmes kësaj letre, kërkojmë përgjegjësi individuale të deputetëve si dhe përgjegjësi kolektive të partive politike për qëndrimet e dhëna.