Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut



Avokati i Popullit së bashku me organizatat joqeveritare në Republikën e Kosovës, duke përfshirë edhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, kanë ndërmarrë iniciativë të përbashkët për shënimin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Iniciativa ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit efektiv për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë.

Andaj, më datën 10 dhjetor 2018, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u diskutua mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Këtu është diskutuar për të drejtat e fëmijëve, të drejtat e të rinjve, për të drejtat e gruas, të drejtat e të moshuarve, të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, të drejtat e komunitetit LGBTI dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Për të gjitha këto pika, të pranishmit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre se po shkelen të drejtat e njeriut çdo ditë në Kosovë, ndonëse ligjet janë shumë të favorshme. Pas diskutimit u marshua me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”.