NËNSHKRUHET DEKLARATA E PËRBASHKËT PËR ELIMINIMIN E SEKSIZMIT NË MEDIA



Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur i Mediave (KPM) dhe Agjencionin për Barazi Gjinore (ABGj) nënshkruan Deklaratën e Përbashkët me Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Kjo deklaratë e përbashkët - e iniciuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Agjencionin për Barazi Gjinore - është hartuar me qëllim të avancimit të barazisë gjinore në Kosovë me mediat si agjentë të ndryshimeve sociokulturore. Përmes kësaj deklarate, në pajtim me obligimet që dalin nga Kodi i Etikës për Mediat, si dhe parimet bazë të mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore të mbrojtura e të promovuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, CEDAW, Konventën e Stambollit dhe ligjet tjera në fuqi, synohet angazhimi dhe koordinimi i akterëve për luftimin e dhunës ndaj grave, dhunës me bazë gjinore dhe stereotipeve gjinore.

Deklarata u nënshkrua nga znj.Luljeta Demolli, Drejtore ekzekutive në QKSGj, z.Luan Latifi, Kryeshef ekzekutiv në KPM, Edi Gusia, Kryeshefe ekzekutive në ABGj dhe Ngadhnjim Kastrati, Drejtor i përgjithshëm i RTK, në prezencë të znj. Vlora Nushi, Udhëheqëse e zyrës së UNWomen në Kosovë.

Kjo deklaratë u mbështet gjithashtu edhe nga U.D e Presidentës së Republikës së Kosovës dhe Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani e cila iu drejtua mediave me thirrjen për t'u bërë palë nënshkruese të deklaratës, me qëllim të avancimit barazisë gjinore në Kosovë.

Deklarata do të jetë e hapur për nënshkrim nga të gjitha mediat, të cilat në mënyrë vullnetare i marrin përsipër zotimet që dalin nga kjo deklaratë.