Takim konsultativ i nivelit të lartë: Fuqizimi ekonomik si parakusht i parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore



Përmes takimit konsultativ të nivelit të lartë: “Fuqizimi ekonomik si parakusht i parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, sot në Prishtinë janë shënuar dy ngjarje me rëndësi historike për barazinë gjinore - 25 vjetori i Platformës së Pekinit dhe 20 vjetori i Rezolutës 1325 – “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Edi Gusia, Kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore dhe Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ishin nikoqire të organizimit ku morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, pastaj Ulrike Richardson nga Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP), Igo Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, përfaqësuese të shoqërisë civile dhe politikës, etj.

“Dhuna është kërcënim i vazhdueshëm në realitetin tonë. Përveç luftimit të dhunës duhet të reflektohet edhe në zhvillimin ekonomik të grave kosovare. Shumë gra kanë humbur vendin e punës për shkak të COVID-19, shumë grave u janë mbyllur bizneset dhe janë stërngarkuar financiarisht. Gjithashtu na shqetëson edhe mungesa e përfaqësimit të grave në negociata dhe në ndërtim të paqes”, është shprehur Demolli.


“Fjalimin tim dua ta mbyll me tri fjalë: Moblizim, përgjegjësi dhe barazi”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq Gusia është shprehur se nuk mund të ketë zhbërje të normave kulturore pa u vendosur vajzat e gratë në qendër të zhvillimit.

“Platforma e Pekinit përveç që thërret Qeveritë për veprim, thërret edhe shoqërinë civile për veprim”.

Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka thënë se shoqëria kosovare ka avancuar mjaft në promovimin dhe vetëdijesimin për barazi gjinore, ndonëse gjendja në terren nuk e reflekton tërësisht këtë vetëdijesim.


“Paraqitja e dhunës ndaj grave është reflektim se ka shumë punë për të bërë. Pandemia i ka dhënë kahje të ndryshme botës. Vendet e punës që mbajnë gratë janë më të ndjeshme, prandaj në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike pavarësisht mbështetjes që marrin bizneset, kemi një pako të veçantë për mbështetjen e grave në biznes”, është shprehur Hoti.

Në panel ka qenë edhe Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, e cila ka theksuar se për të ka qenë shumë me rëndësi adresimi i temave në konferencën e sotme.

“Gratë janë njerëz. Jo vetëm me punë sistematike, por nëse nuk i jepni mbështetje grave do të dështoni si shoqëri. Fuqizimi social është element shumë me rëndësi. Ka raste kur viktima ndihet e turpëruar dhe jo kryesi i veprës. Fuqizimi ekonomik nënkupton autonomi dhe shansin për t’u larguar nga lidhja nëse nuk trajtoheni si qenie njerëzore”, ka thënë Ahliny.

Për Ulrike Richardson nga Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP), nëse gratë do të futeshin në ekonomi më shumë Kosova do të mund të kishte një buxhet vjetor prej tre miliardë euro.

“Do të rekomandoja që Rezoluta 1325 të merrej parasysh në Kosovë. COVID-19 ka pasë ndikim të madh, kështu që mund të them se ka qenë diçka që i ka prekur të gjithë, por disa i ka prekur më shumë se të tjerët. Nëse shohim brenda vendeve e dallojmë pabarazinë e ndikimit të COVID-19, i cili i ka prekur ata që janë më të cenueshëm. E shohim se shumica e kësaj kategorie janë gra”, ka thënë ajo në organizimin e sotëm.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur kritika ndaj institucioneve.

“Organizatat e grave kanë punuar aq shumë, por po më duket se sivjet jemi kthyer mbrapa në barazinë gjinore. Ka qenë një shtyrje mbrapa dhe ka shumë faktorë. Faktori kryesor është vullneti politik që ta shtyjë këtë agjendë përpara. Nuk e shohim vullnetin politik siç duhet. Kurrën e kurrës nuk do të ketë ndryshime pa e pasur vullnetin politik të fortë mbrapa”, është shprehur ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga AAK, Teuta Haxhiu, ka theksuar barazua gjinore nis nga secila familje.

Ajo ka njoftuar se deputetët do ta ndërmarrin një iniciativë për rimbursimin e mjeteve të grave në Kosovë, mjete të cilat ato do t’i tërheqin nga Trusti i Kursimeve Pensionale.

“Kjo nuk do të jetë për gratë në politikë, për deputete, por do të jemi racionalë për të parë se cilat gra do t’i mbështesim. Në Komisionin Parlamentar për Barazi të gjitha jemi gra. Prapa një burri të suksesshëm qëndron një burrë i suksesshëm, por duhet të jetë edhe ana tjetër – prapa një gruaje të suksesshme të qëndrojë një burrë”.

“Fuqizimi ekonomik i gruas do të ndikonte në parandalimin e këtyre rasteve. Kemi raportime të përditshme mbi rastet e dhunës në familje. Fatkeqësisht, raportohen vetëm rasteve e dhunës fizike, por nuk kemi informacione për raste e dhunës psikologjike dhe ekonomike”.

Ndërkaq Ardita Dushi nga Zyra e Kryeministrit ka thënë se Republika e Kosovës është në harmoni të plotë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

“Së fundmi kemi përqafuar edhe Konventën e Stambollit. Për ta avancuar më tej në kornizën ligjore po ndërmarrim hapa konkretë për Planin për Barazi Gjinore 2020-2023. Ky program duhet të na shërbejë si platformë referuese me alokomin e fondeve për integrim të perspektivës gjinore në politikëbërje”