OP-ED: Shëndeti riprodhues i vajzave dhe grave gjatë pandemisë COVID-19



Liridona Sijarina

Të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë qëndrore në politikën feministe. Që nga vala e dytë e feminizmit e këndej është luftuar vazhdimisht të institucionalizen të drejtat riprodhuese të vajzave dhe grave, nën kauzën e çlirimit seksual dhe barazisë gjinore. Megjithatë edhe përkundër betejave të fituara nga feministet, të drejtat riprodhuese të grave mbesin ende në shkallë të gjerë nën kontroll të politikave patriarkale dhe si të tilla janë lehtë të cenueshme. Në një pjesë dominante të shteteve, ku hynë edhe Kosova, edhe pse aborti është legal, tendencat moralizuese, kufizimet kohore, procedurat shëndetësore dhe kostot e vështirësojnë gëzimin e kësaj të drejte. Sipas Qendrës për të Drejtat Riprodhuese, 970 milion gra që përfaqësojnë 59% të grave në moshë riprodhuese, jetojnë në vende që e lejojnë abortin në terma të gjerë. Përderisa shumica e grave jetojnë në vende ku ato mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për abort, 41% e grave jetojnë nën ligje kufizuese.

Në kohë krizash kompromiset me të drejtat e njeriut janë të mëdha. Pandemia të cilën po e përjetojmë sot, përveç që po i sipërfaqëson padrejtësitë strukturore dhe sistemike, po jep indikacione të thellimit të mëtejshëm të pabarazive, padrejtësive dhe tkurrjes së të drejtave themelore të njeriut. Deri më tash, evidencat globale dhe vendore po tregojnë që këto padrejtësi janë në masë të madhe të gjinizuara. Që prej shpalljes së pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është evidentuar rritje e dhunës në familje, me shumicë absolute të grave si viktima, rritje e papunësisë që në shkallë të gjerë dhe në mënyrë specifike i prek gratë, rritje e barrës së përkujdesjes për familjen dhe punët e shtëpisë dhe rrezikim i shëndetit, me theks atij riprodhues. Kufizimet veçse ekzistente në shëndetin riprodhues, bëhen edhe më të shpra në kohë emergjencash ose situata pandemie. Siç tregojnë rastet e mëhershme të emergjencave shëndetësore, si përhapja e zika-s në Brazil dhe ebolës në Sierra Leone, shëndeti seksual dhe riprodhues ose injorohet skajshmërisht ose kthehet si kërcënim duke u bërë pjesë e politikave konservatore.

Siç vëren Nancy Fraser, teoricente feministe, kapitalizmi mirëmbahet nga riprodhimi shoqëror. Siç po ritheksohet edhe këto kohë, janë pikërisht veprimtaritë e riprodhimit të jetës (forcës punëtore) dhe puna e kujdesit që sigurojnë vazhdueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit. Megjithatë, paradoksalisht por jo paqëllimshëm, riprodhimi vazhdon të trajtohet si jo-esencial. Përderisa pandemia COVID-19 që para së gjithash paraqet krizë në riprodhim shoqëror, do të duhej ta kthente vëmendjen tek ky dimension esencial në terma të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore, kjo periudhë ka treguar kufizim ose injorim të të drejtave riprodhuese të vajzave dhe grave. Diskursi popullist i ekstremit të djathtë i cili po merr hov në Evropë del të jetë i rrezikshëm për gratë dhe të drejtat e tyre, para së gjithash, për të vendosur për trupin e tyre. Rasti i Polonisë dhe tentativës për ta shfuqizuar ligjin për abort tregon një tendencë shqetësuese të kontrollit të seksualitetit të grave, sikur ndodhë në rastet e humbjes së popullsisë, ku trupat e grave tentohet të vihen në përdorim të rritjes së natalitetit.

Që nga shpallja e pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, një pjesë e madhe e shteteve e kanë kategorizuar shëndetin riprodhues si shërbim jo-esencial. Si rrjedhojë, sipas vlerësimeve të bëra deri tani, kjo po prodhon një krizë në shëndetin riprodhues të vajzave dhe grave, duke e ndikuar dukshëm qasjen e tyre në këto shërbime si në nivel global dhe atë lokal. Mungesa e politikave të ndjeshme gjinore dhe masave që garantojnë qasjen e sigurt dhe në kohë në shërbimet esenciale të shëndetit seksual dhe riprodhues, medikamenteve dhe informacioneve gjatë pandemisë është duke i ekspozuar vajzat dhe gratë ndaj komplikimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues. Gratë dhe vajzat po përballen me kufizime të konsiderueshme në shërbimet për reagim në kohë për abort, kujdesin pas abortit kontracepsionin emergjent dhe përkujdes për shtatëzani, përveç rasteve të klasifikuara si "emergjente". Për më tepër, reziku nga infektimi, masat e izolimit dhe brishtësia e sistemit shëndetësor kanë ndjellur pasiguri në shkallë të gjerë. Këto dhe mungesa e politikave adekuate po e cenojnë shëndetin dhe të drejtën e grave për të vendosur për trupin e tyre, duke krijuar probleme tjera të cilat mund të kenë pasoja afatgjate në mirëqenien e grave.

Kriza si e tillë ashpërsohet edhe më shumë tek vendet në zhvillim. Në sistemet e dobëta shëndetësore sikur i Kosovës, trajtimi i duhur i shëndetit riprodhues të vajzave dhe grave është sfidues. Kjo vjen për shkak të jostabilitetit të vetë sistemit, për shkak të injorimit të dimensionit gjinor dhe faktit që aborti është moralisht i dënueshëm edhe pse i lejuar me ligj. Pandemia ka ndikuar rrënjësisht në një ri-strukturim të rutinës së sistemit shëndetësor, duke u koncentruar në luftën kundër pandemisë. Nga masat e ndërmarra nga qeveria, asnjëherë nuk është përmendur shëndeti riprodhues i grave, si shërbim esencial i cili do të duhej trajtuar në mënyrë të barabartë dhe të ofrohej sigurt. Mungesa e perspektivës gjinore, ndërmarrjes së masave të veçanta për sigurimin e funksionimit të reparteve gjinekologjike, mosinformimi dhe puna me staf të reduktuar, rezultojnë në rënie të numrit të vajzave dhe grave që kërkojnë shërbime gjinekologjike. Sipas vlerësimeve të punëtorëve shëndetësor kjo periudhë është shoqëruar me një rënie të dukshme të vajzave dhe grave që kanë kërkuar shërbime të shëndetit seksual dhe riprodhues, duke përfshirë këtu kontrollat rutinore, kërkesat për kontraceptivë fizik dhe kontrollat për shtatëzani. Specifikisht, nga punëtorët shëndetësor thuhet se nuk ka pasur kryerje të abortit gjatë kësaj periudhe. Ngjashëm me precedentët e mëhershëm, aborti është më pika më problematike edhe në këtë periudhë.

Shërbimet e abortit sipas legjislacionit në fuqi janë nën kompetencë të qendrave të mëdha shëndetësore si QKUK. Qasja në këto shërbime përveç problemeve sistematike të sistemit të shëndetësisë, bëhet edhe më sfidues për shumë vajza e gra që jetojnë në zona rurale, ku shërbimet e tilla vështirë që janë të qasshme me bazë në komunitet. Gjithashtu varësia ekonomike, rritja e barrës së punëve të kujdesit në familje, sidomos gjatë mbylljes totale mars-maj, e ka rënduar edhe më shumë mundësinë e grave për të marrë shërbime. Kryerja e abortit, sidomos gjatë kësaj periudhe, ku kontakti apo frekuentimi i QKUK-së, është një ndërmarrje e rrezikshme e cila mund t'i stepë vajzat dhe gratë nga vizita. Siç edhe vlerësohet nga punëtorë shëndetësor, për shkak të prioretizimit të rasteve emergjente (ku nuk hynë shëndeti riprodhues) dhe luftës ndaj COVID-19, vajzat dhe gratë janë orientuar në klinikat private.

Pjesa dërrmuese e grave në Kosovë nuk punojnë dhe rrjedhimisht janë më të varfëra krahasuar me burrat. Kjo e bënë abortin shërbim luksi për to. Sipas një hulumtimi të Preporter, në QKUK duhet paguar 40-50 euro për të kryer abort, ndërsa në ordinanca private ky shërbim është disafish më i shtrenjtë. Mostrajtimi i abortit si shërbim esencial nga institucionet shëndetësore publike dhe kostoja e lartë në ordinancat private e zbehin mundësinë që vajzat dhe gratë t'i marrin këto shërbime. Për më tepër, sipas po të njëjtit hulumtim vetëm 5 klinika gjinekologjike private janë të licencuara për të kryer abort. Kjo rritë mundësinë që gratë, siç është raportuar më herët, ta ndërprejnë shtatëzaninë përmes rrugëve ilegale, të cilat janë të pasigurta dhe mund të kenë pasoja fatale për vajzat dhe gratë. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aborti i pasigurt është një nga shkaktarët kryesor të vdekjes së grave, duke vrarë të paktën 22,800 gra dhe vajza në vit dhe duke dëmtuar shëndetin e milionave.

Kufizimi i ofrimit të shërbimeve të shëndetit riprodhues dhe shërbimet për abort mund të jenë fatale për vajzat dhe gratë në Kosovë. Përgjatë muajve të izolimit është evidentuar një rritje e dhunës në familje prej 36%. Rreziku që të rritet dhunimi seksual gjatë kësaj periudhe, paraqet rrezik edhe në rritjen e numrit të shtatëzanive të padëshiruara. Sipas raporteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo e treta grua që përjeton dhunë seksuale, përdhunohet nga partneri intim. Ndërsa rrethanat e jashtme të krijuara, kufizimet e skajshme në ofrimin e shërbimeve të shëndetit riprodhues, sidomos gjatë periudhës së izolimit veç sa mund ta rëndojnë situatën.

Përfundimisht, pandemia COVID-19 po i rithekson edhe më shumë padrejtësitë që iu bëhen grave që edhe gjatë kohërave "normale" janë të paprivilegjuara. Kjo periudhë po e shpërfaqë edhe një herë qasjen e gabuar të shteteve që edhe në kohe krize të riprodhimit shoqëror koncentrohen në rimëkëmbje ekonomike duke e tregtuar atë me të drejtat bazike të njeriut. Kjo paradigmë e gabuar e cila është në thelb të politikave dominante aktuale në luftën kundër pandemisë përveç që po e cenon shëndetin e milionave, paraqet rrezik për regres, ndër të tjera, gjinor. Andaj nevoja e një politike feministe e cila i njeh nevojat dhe kërkesat specifike të grupeve shoqërore dhe ekonomike po bëhet çdo herë e më akute për tejkalimin e pandemisë. Në raport me menaxhimin shëndetësor gjatë pandemisë, Qeveria dhe institucionet e shëndetit publik me urgjencë duhet t'i rishqyrtojnë politikat e ndërmarra nga një këndvështrim gjinor, për të sanuar dështimet e deritanishme në trajtimin e dimensionit gjinor. Në terma të shëndetit riprodhues, tri dimensione janë kruciale:

  • Shëndeti seksual dhe riprodhues i vajzave është esencial dhe si i tillë duhet të prioritizohet, të trajtohet si kujdes shëndetësor esencial i cili është i ndjeshëm në aspektin kohor dhe të garantohet qasje në kujdes në kohën e duhur edhe gjatë pandemisë.
  • E drejta për informim mbi shëndetin riprodhues është e drejtë bazike e garantuar me legjislacionin në fuqi. Megjithatë, gjatë pandemisë nuk ka pasur ndonjë kampanjë informuese mbi kujdesin shëndetësor dhe shërbimet në dispozicion gjatë situatave të tilla. Andaj është kruciale që të autorizohen dhe vihen në dispozicion në kohën e duhur konsultat telefonike për këdo që po kërkon kujdes ose informacion për abortin. Duhet të merren masa specifike për të siguruar që konsultat telefonike të jenë falas ose me kosto të ulët dhe lehtë të arritshme për grupet e margjinalizuara.
  • Vendimet mbi të drejtat riprodhuese të grave, kanë gjithmonë qenë problematike, kryesisht për shkak që vendimmarrësit kanë qenë burra. Andaj, përpilimi i politikave rreth shëndetit riprodhues të vajzave dhe grave, sidomos gjatë planifikimeve për menaxhim të krizave duhet të përfshijë vajza dhe gra.

Ky editorial është pjesë e projektit “Përgjigje e shpejtë ndaj pandemisë COVID-19 – mbështetja e grupeve më të cenueshme te grave” i iniciuar dhe financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, që implementohet nga Forumi Ekonomik i Grave.