Ligji për Shoqëri Tregtare dhe Kuota Gjinore



Muajin e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e përkrahën një amandament të Ligjit për Shoqëritë Tregtare që kishte të bënte me përfshirjen e grave në Bordet e Shoqërive Aksionare me kuotën prej 40%.

Amandamenti i propozuar nga deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila, gjeti mbështetjen e deputetëve, ndonëse shumë grupe parlamentare nuk e mbështetën atë. “Një punë e lënë në gjysmë duhet të kryhet. E lumtur se sot e bëmë një hap përpara në avancimin e rolit të gruas në fuqizimin ekonomik”, shkroi atë ditë Kusari në Facebook, pas votimit të amandamentit. Mirëpo, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e dekretoi këtë ligj dhe mori vendim për kthimin e tij në rishqyrtim, transmeton Klan Kosova.

Me qëllim të diskutimit të çështjeve kryesore dhe dilemave për këtë iniciativë, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, më 17 prill 2018, organizoi konferencën: “Ligji për Shoqëri Tregtare dhe Kuota Gjinore”, në të cilën morën pjesë Mimoza Kusari – Lila, deputete, Gazmend Mejzini, Kryeshef i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Nora Jashari, nga Instituti Gap dhe Robert Muharremi, ligjërues në RIT Kosovo.

Luljeta Demolli, Drejtore e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, potencoi se debati për përfaqësimin e duhur të grave në bordet e korporatave mori vëmendjen pas amendamentit të propozuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila, i cili garanton përfaqësimin e grave në organizatat e biznesit, që do të fillonte aplikimin gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Sipas saj, në Kosovë kudo ka tregues të shumtë të pabarazisë gjinore, prandaj është akt emancipues përkrahja e çdo nisme që vjen si masë afirmative për ta ndryshuar situatën e pabarabartë gjinore në Kosovë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila, inicuese e amandamentit, shpjegoi kontekstin e miratimit të nenit. “Kur e kam propozuar kuotën dhe kur ky nen është trajtuar në komision dhe jashtë komisionit, ishte periudha në mes të fushatës së zgjedhjeve lokale dhe votimit të demarkacionit, etj., ku pa marrë parasysh peshën e rëndësisë që ky nen e ka për barazinë gjinore në shoqërinë tonë, nuk e ka marrë vëmendjen e duhur”.

“Deputetët nuk kanë qenë të informuar mirë rreth kësaj çështjeje dhe ka pasur komente që ligji i ka zënë në befasi”.

“Ekziston paragjykimi se gratë nuk janë mjaftueshëm të kualifikuara t’i kryejnë detyrat në pozita të tilla, gjë që nuk është e vërtetë”, deklaroi Kusari – Lila.

Ndërkaq, Kryeshefi i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini, e shtjelloi këtë temë nga aspekti praktik dhe e shpjegoi historiatin e procesit të mosmiratimit të ligjit në Kuvend.

“Ligji për Shoqëri Tregtare është duke paraqitur sfidë për këtë Agjencion, për bizneset, si dhe për të gjithë ata që merren me implementimin e këtij ligji”.

“Ai do ta rritë burokracinë dhe me këtë kriter vështirë se do të regjistrohen si shoqëri tregtare në të ardhmen. Duhet të punohet në drejtim të plotësimit të ligjit ekzistues për shkak se ky ligj nuk është i përafruar me atë të legjislacionit të Bashkimit Evropian”.

Nora Jashari, nga Instituti Gap, theksoi se që nga konkurset për borde publike ekziston një qasje diskriminuese në përzgjedhje dhe kjo pastaj reflekton edhe tek sektori privat.

“Nga momenti fillestar gratë diskriminohen në punësim. Kjo po iu mundëson burrave që të krijojnë eksperiencën në vendin e punës. Nga shumë analiza del se diversiteti gjinor në borde nuk është pengesë për zhvillim të shoqërive tregtare, por as të ndërmarrjeve publike”.

Robert Muharremi, ligjërues në RIT Kosovo, vendosi theks te veçantë në faktin se “shteti nuk ka për detyrë vetëm të mos e cenojë një të drejtë themelore, por shteti veçanërisht ka për detyrë që në mënyrë aktive dhe pozitive ta mbrojë dhe ta mundësojë realizimin e një të drejte themelore, sidomos kur ka pabarazi faktike”.

“Në rastet kur ka pabarazi faktike, shteti ka për detyrë që të marrë masa afirmative në mënyrë që këtë pabarazi faktike ta eliminojë”.