Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bën thirrje për reagim të fuqishëm institucional për parandalimin e dhunës në baza gjinore



Me fillimin e fushatës globale 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore (25 nëntor - 10 dhjetor), Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe për një reagim më të fortë institucional ndaj këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore është thellësisht i shqetësuar që dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë një nga mënyrat të përhapura të diskriminimit gjinor.

Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, në Kosovë janë raportuar 1129 raste të dhunës në familje. Si një akt përfundimtar, i një vazhdimësie të dhunës me bazë gjinore, në vitin 2018 ishim dëshmitar të 8 rasteve të vrasjeve të grave brenda familjes, duke përfshirë një vajzë të vogël.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga manifestimet më të dukshme dhe të përsëritura të pabarazive të thella në shoqërinë kosovare, që tejkalon linjat etnike, socio-ekonomike dhe fetare. Përveç ndikimit tek individët, dhuna ndaj grave dhe vajzave ka pasoja të rënda në dëm të familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë në tërësi, duke përfshirë kosto të lartë ekonomike dhe sociale.

Në Kosovë është bërë progres i konsiderueshëm sa i përket kornizës ligjore dhe politike për të luftuar dhunën kundër grave, por përpjekjet e përbashkëta për të mbështetur zbatimin e plotë dhe efektiv të legjislacionit ekzistues duhet të vazhdojnë:

- Reagimi institucional duhet të jetë i paanshëm, i koordinuar dhe vendimtar, me detyra, përgjegjësi dhe llogaridhënie të përcaktuara qartë. Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet gjyqësorit dhe policisë është veçanërisht i rëndësishëm dhe duhet të rishikohet dhe përshtatet vazhdimisht për të siguruar një përgjigje të qendrueshme, efektive dhe të drejtë.

- Rastet e dhunës në familje duhet të trajtohen me prioritet të lartë nga institucionet e drejtësisë dhe duhet të sigurohet një gjykim i drejtë i këtyre rasteve, për të garantuar drejtësi për të gjitha gratë, vajzat, burrat dhe djemtë të cilët janë prekur nga çdo formë e dhunës në familje. Autorët duhet të ndiqen penalisht në mënyrë adekuate.

- Të gjitha gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë që përjetojnë dhunë duhet të përfitojnë më tepër nga qasja në kujdes, mbështetje, drejtësi dhe shërbime të tjera të nevojshme për të siguruar mirëqenien fizike, mendore dhe sociale.

- Institucionet kyçe duhet të rrisin koordinimin për sigurimin e një reagimi të menjëhershëm dhe shërbimeve të fokusuara në të mbijetuarat/it, duke përfshirë rehabilitimin adekuat të viktimave dhe autorëve për të ndaluar përsëritjen e dhunës dhe për të siguruar përgjegjshmërinë e institucioneve.

- Institucionet e Kosovës duhet të forcojnë zbatimin e strategjive efektive të parandalimit, që adresojnë shkaqet rrënjësore të pabarazisë gjinore, duke përfshirë arsimin pa paragjykime të bazuara në gjini.

Ne dënojmë fuqishëm çdo akt të dhunës kundër grave dhe vajzave dhe theksojmë faktin se dhuna në familje nuk është kurrë një çështje private dhe reagimi i duhur institucional ndaj këtyre veprimeve kriminale është një e drejtë njerëzore dhe e patjetërsueshme e viktimës.

Shënim për media:

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është një grup i përberë nga akterë të shumtë, i cili kryesohet nga UN Women. Anëtarët e mëposhtëm të GSBGJ-së e mbështesin këtë deklaratë:

Oraganizatat ndërkombëtare: UN Kosovo Team, Zyra e Kordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDC), UN Women, UNDP, UNFPA, UNICEF, UNHCR, UN Habitat si dhe: UNMIK, EULEX, OSBE, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Council of Europe - Zyra në Prishtinë.

Insititucionet e Kosovës: Agjencia për Barazi Gjinore.

Organizatat e grave dhe OJQ-të: Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Kosova - Women 4 Women, Kvinna till Kvinna Kosovo, KIPRED, INJECT (Initiative for Justice and Equality).

Kjo deklaratë mbështet edhe nga: Advocacy Training and Resource Center (ATRC), Mekanizmi kordinues kundër dhunës në familje – Komuna e Gjakovës, KosovaLive, Global Girl Media Kosova. UN Kosovo Team UN Women Kosovo UNDP Kosovo UNFPA Kosovo Unicef Kosovo Programme UNHCR Kosovo Bllok pas Blloku Prishtinë UNMIK - United Nations Mission in Kosovo EULEX Kosovo (Official) OSCE Mission in Kosovo European Union Kosovo U.S. Embassy Pristina, Kosovo Council of Europe Kosova Women's Network @Qendra kosovare per studime gjinore Kosova - Women 4 Women KIPRED Inject Initiative for Justice and Equality Advocacy Training and Resource Center - ATRC Kosovalive KosovaLive's-GlobalGirl Media Kosova Bureau