Forumi Ekonomik i Grave me rekomandime për deputetët në lidhje me Ligjin e Punës



Të nderuar/a kandidatë/e për deputetë/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuara parti politike,

Me afrimin e fillimit të fushatës zyrtare zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, organizatat përfaqësuese të Forumit Ekonomik të Grave ftojnë të gjitha subjektet politike të demonstrojnë zotimin e tyre për gjithëpërfshirje dhe barazi gjinore në rrafshin social, ekonomik dhe politik përmes përfshirjes së politikave dhe masave konkrete në planprogramet partiake. Forumi Ekonomik i Grave i bën thirrje subjekteve politike të angazhohen për promovimin e të drejtave të grave përmes:

I. Adresimit të diskriminimit dhe joaktivitetit të grave në tregun e punës

Gratë në Kosovë mbesin të nënpërfaqësuara dhe margjinalizuara në tregun e punës. Sipas analizës së tremujorit të parë të vitit 2019 të Anketës së Fuqisë Punëtore në Kosovë vetëm 13.3% e grave në moshë pune janë të punësuara, duke bërë që Kosova të renditet ndër shtetet me joaktivitetin më të lartë të grave në treg të punës në regjion dhe në nivel Evrope. Hulumtimet e ndryshme në adresimin e kësaj çështjeje tregojnë se ndër pengesat kryesore për aktivizimin e grave në tregun e punës ndër vite vazhdon të mbetet kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit në familje, diskriminimi në vendin e punës, mundësitë më të vogla për punësim në krahasim me burrat dhe mungesa programeve të dizajnuara për të përditësuar shkathtësitë në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Për të adresuar këtë çështje, është shumë me rëndësi të promovohen politika konkrete dhe gjithëpërfshirëse të cilat lehtësojnë dhe njëkohësisht inkurajojnë pjesëmarrje më të madhe të grave, të tilla si:

• Të ofrohen shërbime të përballueshme ekonomikisht për kujdesin e fëmijëve;
• Të ofrohen skema të arsimimit dhe riaftësimit për gratë që janë të papunësuara për një kohë të gjatë, duke ofruar trajnime të dizajnuara që përputhen me kërkesat e tregut të punës;
• Të ipen bursa për vajza nga sektori publik dhe nga korporata me rol strategjik për zhvillim të vendit;
• Të mbështeten programet e ndërmarrësisë së grave - veçanërisht skemat e vetëpunësimit;
• Të inkurajohet rritja e bizneseve në pronësi të grave, duke ofruar lehtësira të ndryshme administrative dhe financiare;
• Të përkrahet pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore përmes politikave aktive të tregut të punës, siç janë programet e subvencionimit të pagave, trajnimit dhe ndërhyrjeve afatshkurtra që forcojnë/përmirësojnë shkathtësitë punë-kërkuese.

II. Lejes prindërore me pagesë

Përveç garantimit të së drejtës që baballarët të luajnë rol aktiv në kujdesin për fëmijët, politikat familjare të barabarta dhe efektive janë qenësore në përafrimin e hapësirës disproporcionale të punësimit mes grave dhe burrave si dhe avancimit të barazisë gjinore në Kosovë. Ligji aktual, si dhe projektligji i propozuar për leje të lehonisë dhe leje prindërore, diskriminojnë burrat, duke mos u ofruar atyre të drejta të barabarta për të qenë me fëmijët e tyre - duke kontribuar njëkohësisht në uljen e nivelit të pjesëmarrjes së grave në ekonominë e vendit. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, për të arritur ekuilibër në mes të prindërve në rolin e tyre të barabartë, të drejtat dhe përgjegjësitë e barabarta ekonomike e sociale, duhet të krijohen politika, implementimi i të cilave do të krijonte bazë për rol të barabartë të prindërve.
Politikat duhet të mbështesin familjet me prindër që punojnë në tre mënyra: (i) duke siguruar që prindërit kanë të drejtë të marrin leje prindërore për t'u kujdesur për fëmijët e tyre; (ii) sigurimin ose përkrahjen e përkujdesjes për fëmijët; dhe (iii) ofrimin e mbështetjes financiare për kostot e kujdesit së fëmijëve. Forumi Ekonomik i Grave avokon ndryshimin e sistemit aktual duke propozuar një model i cili garanton lejen e lehonisë dhe të atësisë, dhe alokim të patransferueshëm të lejes së paguar prindërore si për nënën ashtu edhe për babanë, krahas një skeme të paguar dhe të papaguar për modelin si tërësi.
Përderisa përgatitni platformat e juaja qeverisëse, organizatat përfaqësuese të Forumit Ekonomik të Grave mbesin në dispozicionin tuaj për këshillim dhe asistencë në avancimin e programeve të cilat promovojnë të drejtat e grave në Kosovë duke fuqizuar pozitën e tyre në shoqëri dhe treg të punës.

Sinqerisht,
Forumi Ekonomik i Grave

Qendra për Studime Gjinore (QKSGJ), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti Riinvest, Gratë për Gratë Kosovë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK),Rrjeti i organizatave te grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiase te Kosoves – RROGRAEK,

Forumi Ekonomik i Grave është një trup i pavarur, gjithëpërfshirës e unifikues, që ka mbledhur rreth vetes akterë, organizata e individë të shoqërisë që kanë interes, pjesë aktive e angazhim zhvillimin dhe fuqizimin e grave në ekonomi. Forumi është themeluar bashkërisht nga organizatat që përfshihen në mënyrë aktive në përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë.